VLEN: Sot ndërtojmë, ndërsa BDI-ja për 20 vjet vetëm premtoi

Advertisement

VLEN ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të BDI-së lidhur me projektet dhe investimet infrastrukturore, duke theksuar se dallimi mes dy subjekteve politike është i dukshëm.

Sipas VLEN-it, për dy dekada BDI-ja ka premtuar projekte të mëdha infrastrukturore, përfshirë autostrada, rrugë dhe investime, por shumë prej tyre kanë mbetur në nivelin e premtimeve.

“VLEN nuk flet vetëm për projekte, VLEN i ndërton ato”, thuhet në reagimin e partisë.

Nga VLEN theksojnë se aktualisht po realizohen projekte të rëndësishme infrastrukturore, përfshirë autostradën drejt Gostivarit, lidhjen drejt Kërçovës, lidhjen me Kosovën dhe Korridorin 8.

Partia thekson gjithashtu se po realizohen bulevarde në Tetovë, investime në kampusin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, si dhe projekte infrastrukturore në Strugë dhe në komunat e tjera.

VLEN akuzon BDI-në se sot kërkon merita për projektet që po realizohen, duke ngritur pyetjen se pse këto projekte nuk u ndërtuan gjatë periudhës kur BDI-ja ishte pjesë e qeverive.

“Paratë në letër nuk janë autostradë. Projekti në sirtar nuk është bulevard. Premtimi në konferencë për shtyp nuk është infrastrukturë”, thuhet në reagim.

Sipas VLEN-it, qytetarët sot mund ta bëjnë krahasimin mes premtimeve të viteve të kaluara dhe projekteve që aktualisht janë në ndërtim.

“BDI-ja la pas dosje dhe premtime. VLEN po lë pas rrugë, ura dhe projekte të realizuara”, përfundon reagimi.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit