Pas takimit të mbajtur një ditë më parë mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në publik janë përmendur disa emra si kandidatë të mundshëm për postin e Presidentit të Kosovës.
Mes emrave të përfolur janë edhe Nikë Gjeloshi dhe Blerim Shala.
Gjeloshi ka deklaruar për Klan Kosova se deri tani nuk ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me Kurtin apo Abdixhikun, ndonëse ka marrë informacione se do të zhvillohen bisedime lidhur me këtë çështje.
“Unë personalisht jo. Kam pasur njoftime se do të ketë biseda e të tjera, por nuk i kam takuar ende”, ka thënë Gjeloshi.
Ai ka lënë të hapur mundësinë që ta marrë përsipër përgjegjësinë, në rast se kandidatura për President i ofrohet zyrtarisht.
Në mesin e emrave të përmendur është edhe publicisti Blerim Shala. Ai ka deklaruar për Klan Kosova se nuk ka pasur kontakte me subjektet politike dhe se nuk është kandidat për President.
Televizioni ka tentuar të kontaktojë edhe me personalitete të tjera që janë përmendur si kandidatë të mundshëm, përfshirë Haki Demollin, por nuk ka marrë përgjigje.
Pa konfirmim ka mbetur edhe emri i Faton Bislimit, i cili deri tani nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar mundësinë që të jetë kandidat për këtë post.






