Në Ministrinë e Punëve të Brendshme është hapur hetim i brendshëm ndaj të paktën dy të punësuarve, të cilët dyshohet se janë përfshirë në përgatitjen e një patentë-shoferi të falsifikuar në këmbim të ryshfetit, shkruan “Slloboden Peçat”, duke iu referuar burimeve brenda MPB-së.
Sipas informacioneve, rasti është zbuluar gjatë përgatitjes së dokumentit, ndërsa dyshimet janë se skema mund të ketë mundësuar lëshimin e edhe disa patentë-shoferëve në mënyrë të parregullt.
Në rastin konkret, personit i ishte sugjeruar që patentë-shoferin ekzistues ta paraqiste si të humbur. Gjatë procedurës për lëshimin e dokumentit të ri, dyshohet se ishte planifikuar t’i shtoheshin kategori më të larta, të cilat do t’i mundësonin drejtimin e kamionëve të rëndë dhe autobusëve, përveç automjeteve.
Nëse dyshimet konfirmohen, rasti mund të ngrejë shqetësime për sigurinë në komunikacion, veçanërisht për shkak të përgjegjësive që kanë drejtuesit e autobusëve në transportin e pasagjerëve, fëmijëve dhe turistëve. Për këtë kategori drejtuesish parashikohen kushte të veçanta, përfshirë dokumentacion mjekësor të vlefshëm dhe përvojë të caktuar me patentë për drejtimin e kamionëve.
Nga MPB kanë konfirmuar se Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale e ka njoftuar Prokurorinë Themelore Publike kompetente. Sipas ministrisë, në bashkëpunim me prokurorinë po ndërmerren veprimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Burime të “Slloboden Peçat” pretendojnë gjithashtu se disa prej personave nën hetim në të kaluarën janë dyshuar për përfshirje në aferën e pasaportave të falsifikuara.
Afera e pasaportave, e bërë publike në vitin 2021, lidhej me lëshimin e pasaportave të Maqedonisë së Veriut me identitete të vjedhura ose të falsifikuara për persona të lidhur me botën e krimit.
Po ashtu, në vitin 2021, 18 të punësuar në Shërbimet Administrative të MPB-së u dënuan për pjesëmarrje në një grup që dyshohej se siguronte patentë-shoferë për persona që nuk kishin kaluar provimin përkatës.






