Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) ka nisur kontrollet në terren për të parë nëse tregtarët po e zbatojnë masën e Qeverisë për uljen e çmimeve të mjeteve shkollore.
Sipas vendimit, tregtarët me shumicë duhet t’i ulin çmimet e mjeteve shkollore për të paktën 10 për qind, ndërsa ata me pakicë për të paktën 15 për qind. Çmimet e reja duhet të jenë të shënuara qartë nëpër shitore.
Nga ISHT sqarojnë se si bazë për përcaktimin e çmimit më të lartë merret çmimi që ka qenë në fuqi më 1 qershor 2026, me përjashtim të çmimeve promocionale. Për produktet e blera pas kësaj date, si bazë merret çmimi i regjistruar i blerjes, i cili po ashtu duhet të ulet me të paktën 10 për qind në tregtinë me shumicë dhe 15 për qind në tregtinë me pakicë.
Inspektorati ka paralajmëruar kontrolle në të gjithë territorin e vendit dhe masa ndaj subjekteve që nuk respektojnë dispozitat ligjore. Gjobat variojnë nga 500 deri në 10.000 euro, varësisht nga madhësia e subjektit, ndërsa për mosrespektim të plotë të vendimit mund të shqiptohet edhe ndalim i përkohshëm i veprimtarisë për 15 ditë.
Nga ISHT u bëjnë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo parregullsi në numrin 191 ose përmes faqes zyrtare të institucionit.
Masa ka hyrë në fuqi më 25 gusht dhe do të zbatohet deri më 30 shtator.
Përveç uljes së çmimeve, tregtarët duhet që në raftet me mjete shkollore të vendosin mbishkrimin “më pak shpenzime, më shumë për ty”, si dhe të shënojnë çmimin e mëparshëm të shitjes.






