Kryeministri Hristijan Mickoski ka bërë të ditur se Qeveria po zhvillon bisedime me pesë deri në gjashtë investitorë potencialë për ndërtimin e data-qendrave në Maqedoni, mes të cilëve, sipas tij, është edhe një kompani e madhe multinacionale.
Mickoski tha se Qeveria do të vazhdojë me strategjinë për tërheqjen e investimeve në këtë sektor, duke theksuar se projekte të tilla nuk duhet që në fillim të konsiderohen si kërcënim për cilësinë e jetës së qytetarëve. Si shembuj ai përmendi kompani globale si NVIDIA, Amazon, SpaceX dhe OpenAI.
Sipas kryeministrit, disa prej planeve të investitorëve parashohin edhe ndërtimin e centraleve me gaz, të cilat do të prodhonin energji elektrike për nevojat e data-qendrave.
Duke folur për projektin e përfolur në Pehçevë, Mickoski sqaroi se bëhet fjalë për një iniciativë private dhe për një plan urbanistik që aktualisht është në fazën e propozimit, ndërsa shteti nuk qëndron pas këtij projekti.
“Është e qartë se këtu nuk ka asgjë nga shteti”, deklaroi Mickoski, duke shtuar se në rast se Qeveria në të ardhmen do të përfshihet drejtpërdrejt, do të ndërmjetësojë apo do të marrë përsipër ndonjë rrezik institucional për një projekt të tillë, kjo do të bëhet në mënyrë publike dhe transparente.
Kryeministri theksoi se Qeveria nuk planifikon të heqë dorë nga synimi për tërheqjen e investimeve në këtë fushë dhe se negociatat me investitorët potencialë do të vazhdojnë.






