Ministria e Punëve të Brendshme, përmes sistemit “Qyteti i Sigurt”, ka arkëtuar rreth 8,5 milionë denarë nga afërsisht 11 500 gjoba të shqiptuara brenda gjashtë ditëve.
Sipas MPB-së, këto gjoba janë regjistruar që nga fillimi i sanksionimit të automjeteve me targa të huaja në pikën kufitare “Tabanovcë”. Nga ministria theksojnë se arkëtimi i gjobave nuk është qëllimi kryesor i sistemit, por parandalimi i aksidenteve dhe shpëtimi i jetëve njerëzore.
Si treguesi më i rëndësishëm i efektit të “Qytetit të Sigurt” paraqitet ulja e numrit të viktimave në komunikacion. Nga MPB bëjnë të ditur se deri në fund të gushtit të vitit të kaluar ishin regjistruar 96 viktima, ndërsa në të njëjtën periudhë të këtij viti numri ka rënë në 58.






