Rritja e çmimeve të derivateve ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët, të cilët thonë se çmimet aktuale, veçanërisht të dizelit, janë të papërballueshme për standardin e jetesës në vend.
Të pyetur për çmimet e reja, qytetarët shprehen të revoltuar dhe thonë se pagat nuk po e ndjekin ritmin e rritjes së shpenzimeve.
“Katastrofë, katastrofë. Shumë të larta, ndërsa pagat janë minimale”, shprehet një qytetar.
Një tjetër qytetar thotë se çmimet janë të papërballueshme për popullatën, duke kritikuar institucionet për mungesë të masave për lehtësimin e kostos së jetesës.
Qytetarët përgjegjësinë për situatën ia adresojnë pushtetit, duke thënë se institucionet duhet të ndërmarrin masa konkrete për të mbrojtur standardin e qytetarëve. Sipas tyre, shqetësuese është se krahas rritjes së çmimeve të karburanteve, janë shtrenjtuar edhe produktet dhe shërbimet e tjera, ndërsa pagat nuk janë rritur në të njëjtin ritëm.
“Nuk kam veturë, por nafta shumë është rritur, për së tepërmi. Pagat nuk i kemi aq sa është rritur nafta”, thotë një qytetar.
Një tjetër qytetar vlerëson se çmimet e derivateve nuk përputhen me standardin e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Çmimet e naftës nuk shkojnë me realitetin. Sipas standardit tonë, janë mjaft të larta. Shteti duhet të gjejë mënyrën, sepse ai e ka pushtetin në dorë”, shprehet ai.
“Shumë shtrenjtë, nuk di çfarë t’ju them”, thotë një tjetër qytetar.
Qytetarët thonë se nuk mund të përballojnë vazhdimisht rritjen e shpenzimeve, ndërsa kërkojnë nga institucionet masa që do ta lehtësonin barrën mbi buxhetet familjare.
Sipas tyre, rritja e çmimeve të karburanteve ndikon drejtpërdrejt edhe në çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera, duke e ulur më tej fuqinë blerëse të qytetarëve.






