Fondi i PIO-s shqyrton problemet e pensionistëve maqedonas në Itali

Advertisement

Drejtori i Fondit të PIO-s, Nikola Memov, zhvilloi sot takim me kryetarin e Bashkimit të Shoqatave të Maqedonasve në Itali, Aleksandar Pojrazov nga Piacenza, si dhe me drejtorin e Agjencisë për Diasporën, Goran Angelov.

Në takim u diskutua për problemet me të cilat përballen qytetarët maqedonas gjatë realizimit të të drejtave nga sigurimi pensional dhe invalidor në Itali dhe në Maqedoni, si dhe për mundësitë për tejkalimin e tyre.

Pojrazov theksoi se një numër i madh i të siguruarve përballen me vështirësi për shkak të shkëmbimit të ngadaltë të të dhënave, i cili aktualisht zhvillohet përmes postës. Sipas tij, procedurat zgjasin me muaj, ndërsa në disa raste dokumentet nuk arrijnë fare në adresat e caktuara.

Vështirësi, siç u theksua në takim, paraqiten edhe gjatë dorëzimit të vërtetimeve për jetë dhe konfirmimit të stazhit të sigurimit në të dyja shtetet.

Memov tha se Fondi i PIO-s është i hapur për bashkëpunim dhe për ndërmarrjen e aktiviteteve që do të përmirësonin komunikimin dhe shkëmbimin e të dhënave mes Maqedonisë së Veriut dhe Italisë.

Ai shtoi se shërbimet e Fondit do të shqyrtojnë të gjitha mundësitë ligjore për zgjidhjen e këtij problemi, ndërsa si zgjidhje më e mirë u përmend nënshkrimi i një marrëveshjeje për shkëmbim elektronik të të dhënave me institucionin kompetent italian për sigurimin pensional dhe social.

Drejtori i Agjencisë për Diasporën, Goran Angelov, deklaroi se Agjencia do të ndihmojë në vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta me diasporën dhe institucionet kompetente në Itali.

Në kuadër të bashkëpunimit të ardhshëm janë planifikuar edhe vizita te mërgimtarët maqedonas në Itali, ku sipas të dhënave të paraqitura në takim jetojnë mbi 150 mijë qytetarë. Vizitat pritet të realizohen deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2027.

Fondi i PIO-s së Maqedonisë së Veriut ka marrëveshje bilaterale me institucionet e sigurimit social të Austrisë, si dhe me fondet dhe institucionet e sigurimit pensional dhe invalidor të ish-republikave jugosllave.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit