Nga sot deri më 30 shtator, mjetet shkollore duhet të shiten me çmime të ulura. Qeveria ka miratuar sot vendimin për uljen e çmimeve të mjeteve shkollore, me qëllim lehtësimin e shpenzimeve për familjet para fillimit të vitit të ri shkollor.
Sipas vendimit, tregtarët me shumicë janë të detyruar t’i ulin çmimet e mjeteve shkollore për të paktën 10%, ndërsa tregtarët me pakicë duhet të sigurojnë ulje prej të paktën 15%.
Masa përfshin një gamë të gjerë produktesh të nevojshme për fillimin e vitit shkollor, përfshirë çanta dhe torba, fletore, blloqe, kolazhe, lapsa dhe stilolapsa, ngjyra, plastelinë, brumë për modelim, flomasterë dhe markerë, ngjyra tempera, akrilike dhe me ujë, furça, vizore, materiale didaktike, mprehëse, goma, gërshërë për fëmijë, futrola, ngjitëse, kompasa, kalkulatorë, letër dekorative, dosje, torba kartoni dhe materiale për punë praktike.
Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, tha se tregtarët janë të detyruar që, përveç çmimit të ri të ulur, të shfaqin edhe çmimin që produkti ka pasur më 1 qershor 2026, pasi ulja llogaritet në bazë të këtij çmimi.
Nga Qeveria deklarojnë se masa synon të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për familjet në periudhën kur shpenzimet për përgatitjen e fëmijëve për vitin e ri shkollor janë më të larta.






