Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka njoftuar për fillimin e rregullimit hortikulturor të një hapësire të lënë pas dore në sheshin “Maqedonia”, të cilën qytetarët prej vitesh e kanë quajtur “livadh”.
Sipas Gjorgjievskit, hapësira po merr një pamje të re përmes vendosjes së gjelbërimit dhe rregullimit të plotë hortikulturor, me synimin që të shndërrohet në një oazë të vogël të gjelbër, që do të përshtatet me pamjen e sheshit qendror të kryeqytetit.
Në të njëjtën kohë, janë zëvendësuar pllakat e dëmtuara rëndë në pjesën pranë Portës “Maqedonia”, ndërsa punimet për sanimin e pjesëve të tjera të dëmtuara do të vazhdojnë edhe gjatë javës së ardhshme.
Gjorgjievski bëri të ditur gjithashtu se po punohet me intensitet në rinovimin e fontanës së dyshemesë.
“Shpejt, e gjithë kjo hapësirë do të jetë përsëri një tërësi e rregulluar, moderne dhe tërheqëse, një kartolinë e vërtetë e Shkupit”, ka shkruar Gjorgjievski.
Ai theksoi se kujdesi për çdo hapësirë dhe detaj është pjesë e angazhimit për ta bërë qendrën e kryeqytetit “fytyrën më të bukur të tij”.
p






