Izraeli sulmon bazën në Siri, rriten tensionet me Turqinë

Advertisement

Sulmi ushtarak i Izraelit ndaj bazës ajrore siriane Abu al-Duhur ka ngritur shqetësime për një përplasje të drejtpërdrejtë me Turqinë. Tel Avivi pretendon se në këtë objekt pritej të vendoseshin trupa turke, ndërsa Ankaraja dhe Damasku i mohojnë këto pretendime.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, i ka dërguar një paralajmërim të drejtpërdrejtë presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, duke i bërë thirrje të mos e testojë vendosmërinë e Izraelit.

Autoritetet izraelite e kanë akuzuar Turqinë për “aventura të rrezikshme” në territorin sirian pas bombardimit të bazës Abu al-Duhur. Sipas Izraelit, Damasku ishte pranë miratimit të një plani për vendosjen e njësive ushtarake turke në këtë bazë.

Ankaraja ka hedhur poshtë akuzat për një prani të planifikuar ushtarake në bazë dhe ka bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve izraelite ndaj Sirisë. Autoritetet turke i kanë cilësuar veprimet e Izraelit si të pamatura dhe destabilizuese për rajonin.

Ministri i Jashtëm sirian, Asad al-Shaibani, konfirmoi se oficerë ushtarakë turq e kishin vizituar bazën disa ditë para sulmit, por theksoi se kjo ishte pjesë e bashkëpunimit të rregullt ushtarak. Sipas tij, Izraelit i ishte bërë e qartë se nuk ekzistonte asnjë plan për krijimin e një baze ushtarake turke në atë lokacion.

Sulmi ndaj Abu al-Duhur ka nxjerrë në pah mosmarrëveshjet mes Turqisë dhe Izraelit lidhur me të ardhmen e Sirisë. Ndikimi i Ankarasë në Damask është rritur pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assadit dhe ardhjes në pushtet të Ahmed al-Shara në vitin 2024.

Ky zhvillim ka shkaktuar shqetësim në Izrael, i cili e sheh rritjen e pranisë turke në afërsi të kufirit të tij verior si një sfidë të drejtpërdrejtë për sigurinë rajonale.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit