“Politika bazohet në biseda. Unë jam një nga ata politikanë që preferojnë dialogun derisa të arrihet një zgjidhje. Edhe në rastin e parë, edhe në të dytin, do të vazhdojmë të bisedojmë. I dimë vijat tona të kuqe dhe brenda tyre do të përpiqemi të gjejmë zgjidhjen”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski para fillimit të Këshillit të Ambasadorëve.
Duke komentuar deklaratat nga pala bullgare lidhur me zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe mbrojtjen e komunitetit bullgar në Maqedoninë e Veriut, Mickoski theksoi se Kushtetuta garanton të drejtat e të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve.
Sipas tij, në të njëjtën kohë duhet të diskutohet edhe për të drejtat e komunitetit maqedonas në Bullgari. Mickoski përmendi rastet e mosregjistrimit të shoqatave maqedonase, përfshirë OMO “Ilinden Pirin”, pavarësisht vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
“Jam i gatshëm në çdo moment të ulem dhe të bisedoj, por nuk jam adhurues i takimeve vetëm sa për të zhvilluar një takim, pa ndonjë efekt konkret. Pres që përpjekjet diplomatike të afrojnë pozicionet e të dyja palëve. Nëse ekziston mundësia për afrim, jam i gatshëm të ulem dhe të bisedoj”, tha Mickoski.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, foli për vizitën e homologut të tij çek, Petr Macinka.
Mucunski tha se Çekia e konsideron anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE si prioritet dhe vlerësoi mbështetjen e Pragës për përpjekjet e vendit për integrim evropian.
Sipas tij, pala çeke i kupton pozicionet e Maqedonisë së Veriut dhe është e gatshme të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje që do të mundësonte hapjen e negociatave me BE-në.
Mucunski e cilësoi këtë si “mbështetje maksimale” nga Çekia, të cilën e përshkroi si përkrahëse parimore dhe afatgjatë të vendit.






