Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka udhëtuar sot drejt Italisë, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.
Gjatë qëndrimit në Taranto, Haxhiu do të marrë pjesë edhe në pritjen e organizuar nga Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, për krerët e shteteve dhe përfaqësuesit e lartë të vendeve pjesëmarrëse në Lojërat Mesdhetare.
Kosova do të përfaqësohet në këtë edicion me një delegacion prej 163 sportistësh, numri më i madh i sportistëve që vendi ka dërguar deri më tani në Lojërat Mesdhetare, përcjell KultPlus.
Sportistët kosovarë do të garojnë në 17 sporte individuale dhe katër sporte ekipore, duke synuar rezultate sa më të mira në këtë ngjarje të rëndësishme sportive ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e Kosovës në “Taranto 2026” merr rëndësi të veçantë edhe për faktin se vendi do të jetë nikoqir i edicionit të ardhshëm të Lojërave Mesdhetare. Prishtina do të organizojë Lojërat Mesdhetare në vitin 2030, duke shënuar një moment të rëndësishëm për sportin kosovar./KultPlus.com






