Shkruan: Marin Mema
Është viti 2004, kur realizoja reportazhet e dokumentarët e parë lidhur me disa tema që prej kohësh ishin mbuluar jo pak nga pluhuri. Pikërisht në atë kohë nisa të dëshmoja antikombëtarizmin e disa elementëve ekstremistë e më pas të udhëtoja drejt Çamërisë, asaj krahine shqiptare të mbetur padrejtësisht në Greqi… më parë në Margëlliç, Filat, Gumanicë, ku të tria herët u ndalova e mbajta për orë të tëra nga policia greke.
Në 2007, pas një kërkimi disamujor në arkiva, hodhëm më shumë dritë mbi agjenturën greke gjatë periudhës 1920–1990, e fijet që zgjateshin edhe më pas, deri në ditët e sotme, nga pasues të të njëjtave familje. Për 4 numra me radhë në gazetën “Shqip”, solla emër për emër gjithçka ruhej në dokumente! Vasil Shahini (që sot ka bust në Shqipëri), Thimjo Lolin (edhe ai kishte një memorial), e dhjetëra emra të tjerë të dokumentuar. Po në vitin 2007, kthyem sërish vëmendjen tek Masakra e Peshkëpisë, roli i Belerit dhe beleristëve, dëshmitë tronditëse të një ngjarjeje që ende mbahet e bllokuar nga politika dhe drejtësia shqiptare
Vijuam udhëtime dokumentare në Bellkamen, Follorinë, Negovan! Dokumentet janë thelbësore, por terreni mbetet po kaq i rëndësishëm, sepse tregon me zë e figurë gjithçka! Sollëm më tej, fakte e të dhëna për varrezat greke, paktin detar, negociatat që kryheshin mbi e nën tryezë.
Në udhëtimin e fundit zyrtar, këtë herë, drejt fshatit Negovan, shoqërohesha nga profesori i ndjerë Perikli Jorgoni dhe aktivistja e njohur Elida Jorgoni. Të gjitha janë pjesë e një dokumentimi të detajuar: gjurmët, traditat, ruajtja e gjuhës shqipe, të vërtetat e harruara që u dëshmuan përmes një dokumentari drithërues për Papa Kristo Negovanin dhe shqiptarët e vjetër të asaj zone, sot mbetur në Greqi.
Fakte e vetëm fakte!
Të gjitha këto, me sa duket, alarmuan autoritetet greke… dhe më 19 gusht 2012, 14 vjet nga sot, teksa po udhëtoja drejt një tjetër zone, mu deklarua në kufi vendimi se isha shpallur “Non Grata”. Nuk ishte një vendim i zakonshëm, sepse zyrtarisht isha konsideruar Rrezik për Sigurinë Kombëtare në Greqi! E kuptoni sa i rrezikshëm u klasifikova miq? Kjo sepse dëshmoja të vërtetën! Nga ai moment pasuan vite, deklarata, sulme nga mediat greke e qarqet ekstremiste, kërcënime që vijojnë edhe sot… Edhe profesori Perikli Jorgoni, i cili mbylli sytë në një aksident të dyshimtë automobilistik, dhe po kështu Elida, ishin shpallur “Non Grata”.
Menduan se do të ndalesha…
Por kjo nuk ndodhi! Prej 19 gushtit 2012, ditë kur mu deklarua ky vendim, kemi qenë sërish në Çamëri e jo vetëm… në Prevezë, Frar, Paramithi, Parga, Lopës, Spatar, Arpicë, Luarat, Varfanj, Rrapëz, e më tej, deri në Sul, Nafplio, Konicë, Kostur etj, etj, etj… Nuk na ndali “Non Grata” dhe nuk do na ndalë! Kemi vijuar të tregojmë grupe ekstreme e të sjellim fakte të reja mbi Masakrën e Peshkëpisë… kemi vijuar të dëshmojmë nga terreni të dhënat e fshehura, të deformuara, shqipen që ruhet në Çamëri, shtëpitë e heshtura, varret, rrugicat, dokumentet! Kemi qenë aty në vend, në ato zona që ende flasim shqip.. edhe pse mbetur në Greqi.
Aty nga vendi… sepse nuk ka “Non Grata” që na ndal! Nga kalon pyesin në shumë lajme…
Kjo foto vjen nga ato rrugëtime… Kur je me të drejtën e Kombit tënd, nuk ndalesh… sepse është mision! Kur je me të drejtën … edhe Zoti është me ty! E vërteta nuk ndalet!
(Nuk lejohet kopjimi i shkrimit përmes ndryshimit të titullit!)






