Çupeska: Integrimi në BE është i rëndësishëm për mbrojtjen e qytetarëve dhe forcimin e institucioneve

Advertisement

Profesoresha universitare Ana Çupeska ka vlerësuar se integrimi evropian është i rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe nuk duhet të shihet vetëm si objektiv i politikës së jashtme, por edhe si proces që ndikon në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe forcimin e institucioneve.

Sipas saj, pa anëtarësimin në Bashkimin Evropian, vendi rrezikon të mbetet jashtë kornizës rregullative evropiane, e cila përfshin mekanizma për mbrojtjen e qytetarëve dhe garantimin e lirive.

Çupeska foli edhe për konceptin e “sovranitetit të ri”, duke theksuar se në kushtet moderne ai duhet të lidhet jo vetëm me kontrollin territorial, por edhe me integritetin personal, lirinë individuale, barazinë, solidaritetin dhe drejtësinë.

Një pjesë të deklaratës së saj ajo ia kushtoi edhe hapësirës digjitale. Çupeska theksoi nevojën për autonomi digjitale dhe paralajmëroi për rreziqet që mund të sjellë një hapësirë e parregulluar, përfshirë manipulimin dhe ndërhyrjet psikologjike.

Ajo përmendi Aktin për Shërbimet Digjitale (DSA) dhe Aktin për të Dhënat (Data Act) si pjesë të legjislacionit evropian që synon rregullimin dhe mbrojtjen e përdoruesve në mjedisin digjital.

Çupeska e lidhi procesin e integrimit evropian edhe me reformat në drejtësi dhe forcimin e pavarësisë së institucioneve.

Sipas saj, përafrimi me standardet evropiane do të mundësonte forcimin e institucioneve dhe garantimin e një mbrojtjeje më të madhe të të drejtave dhe lirive të qytetarëve.

Në përfundim, Çupeska theksoi se integrimi evropian duhet të shihet edhe nga këndvështrimi i ndikimit të tij në jetën e përditshme të qytetarëve, funksionimin e institucioneve dhe mbrojtjen e të drejtave në epokën digjitale.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit