Mendi Qyra: Struga po rikthen besimin amerikan, hapet një kapitull i ri

Advertisement

 

Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, e ka cilësuar vizitën e Ushtrueses së Detyrës së Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicole Varnes, si një sinjal të rëndësishëm për ndryshimin e kursit institucional të qytetit.

Në një reagim të publikuar pas vizitës, Qyra thekson se takimi nuk ishte vetëm një vizitë diplomatike, por edhe një mesazh për rikthimin e besimit dhe forcimin e orientimit euroatlantik të Strugës.

“Struga që rikthen besimin”, shkruan Qyra, duke vënë theksin te integriteti, transparenca dhe përgjegjësia institucionale.

Ai rikujton se për vite me radhë imazhi i Strugës ishte dëmtuar nga rastet dhe akuzat për korrupsion në nivel lokal, ndërsa në vitin 2023 Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli ish-kryetarin Ramiz Merko persona non grata për përfshirje në korrupsion të konsiderueshëm.

Sipas Qyrës, sot Struga synon të prezantohet ndryshe – si qytet i mundësive, bashkëpunimit dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët strategjikë.

“Struga nuk duhet të jetë më sinonim i aferave dhe korrupsionit. Struga duhet të jetë sinonim i mundësive, bashkëpunimit dhe orientimit euroatlantik”, thekson Qyra.

Kryetari i Strugës vlerëson se vizita e përfaqësueses amerikane në Komunë, pas një periudhe të dëmtimit të reputacionit institucional të qytetit, përbën një sinjal se Struga po hap një kapitull të ri.

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit