Gjorgjievski: “Mushkonjat” nuk luftohen me panik politik – ja sa herë është dezinfektuar Shkupi

Advertisement

 

Kryetari i Shkupit, Orçe Gjorgjievski, ka reaguar ashpër ndaj kritikave të opozitës për masat kundër mushkonjave dhe përhapjen e etheve të Nilit Perëndimor.

Gjorgjievski thotë se shëndeti publik nuk duhet të shndërrohet në mjet për përfitime politike, duke theksuar se ethet e Nilit Perëndimor nuk janë një problem i ri dhe se raste janë regjistruar edhe në disa vende të rajonit dhe Evropës.

Ai në reagimin e tij publikon edhe datat e dezinfektimeve të realizuara në Shkup gjatë vitit 2026, duke theksuar se aktivitetet kanë nisur që më 7 maj.

Sipas tij, gjatë muajve të fundit janë realizuar disa dezinfektime ajrore dhe në terren, ndërsa të tjera janë planifikuar edhe për ditët në vijim.

Gjorgjievski bëri edhe një krahasim me vitin 2018, kur sipas tij, dezinfektimi i parë në terren kishte nisur më 3 korrik, ndërsa spërkatja e parë ajrore më 7 dhe 8 korrik.

“Javë pas jave, faktet janë të qarta. Shëndeti publik nuk mbrohet me konferenca për shtyp, nuk mbrohet me krijimin e frikës dhe as me sensacione politike”, shkruan Gjorgjievski.

Ai shton se trajtimet do të vazhdojnë sipas rekomandimeve profesionale dhe dinamikës së përcaktuar.

Në fund të reagimit, Gjorgjievski nuk i kurseu as kritikat politike ndaj LSDM-së, duke akuzuar opozitën se po përpiqet të shfrytëzojë situatën për pikë politike.

“Shëndeti i shkupjanëve është një çështje tepër serioze për të qenë mjet për pikë të politikës ditore”, përfundon kryetari i Shkupit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit