Pas humbjes së babait, Izet Mexhiti: Mirënjohës për çdo ngushëllim dhe mbështetje

Advertisement

Kryetari i Komunës së Çairit dhe bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që i qëndruan pranë familjes së tij pas ndarjes nga jeta të babait.

Përmes një mesazhi publik, Mexhiti falënderoi familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët dhe qytetarët nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Presheva dhe diaspora, të cilët morën pjesë në të pame ose shprehën ngushëllimet e tyre.

Ai theksoi se prania dhe mbështetja e tyre e kanë bërë më të lehtë përballimin e dhimbjes së familjes në këto momente të vështira.

“Prania juaj e bëri dhimbjen më të përballueshme dhe heshtjen e një shtëpie që sapo kishte humbur njeriun e saj, më pak të rëndë”, ka shkruar Mexhiti.

Ai shprehu falënderime edhe për të gjithë ata që, megjithëse nuk mundën të ishin të pranishëm, u solidarizuan përmes telefonatave, mesazheve dhe fjalëve ngushëlluese.

Mexhiti nënvizoi se gjatë ditëve të pames familja ka dëgjuar shumë rrëfime dhe kujtime për babain e tij, të cilat dëshmojnë respektin dhe vlerësimin që ai gëzonte në mesin e njerëzve.

“Qofsh i Xhenetit, babë. Kujtimi dhe emri yt qofshin gjithmonë me ne”, përfundon mesazhi i tij.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit