Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, tha se infrastruktura energjetike duhet të planifikohet për dekada dhe të përshtatet me ndryshimet që po ndodhin në sektorin energjetik evropian.
Ajo prezantoi Studimin e parë Kombëtar për Hidrogjenin, duke e cilësuar atë si një udhërrëfyes për zhvillimin e infrastrukturës për prodhimin, transmetimin dhe përdorimin e hidrogjenit të pastër.
Sipas Bozhinovskës, pozita gjeografike e Maqedonisë së Veriut, mes Greqisë dhe Serbisë dhe në drejtim të tregjeve të Evropës Qendrore, i jep vendit mundësi për një rol më të madh në rrjetin pan-evropian të hidrogjenit.
Ajo theksoi se për realizimin e këtij potenciali nevojiten lidhje infrastrukturore, rregulla të harmonizuara, institucione të fuqishme dhe bashkëpunim rajonal.
Bozhinovska përmendi edhe interkonektorët me Greqinë dhe Serbinë, të cilët, sipas saj, përveç diversifikimit të furnizimit me gaz, po ndërtohen me mundësi për transportin e hidrogjenit në të ardhmen.
Interkonektori me Greqinë, nga Negotina deri në kufi, do të jetë 67 kilometra, ndërsa i gjithë projekti deri në Nea Mesimvria do të ketë 123 kilometra dhe kapacitet deri në 2.8 miliardë metra kub gaz në vit.
Ministrja përmendi edhe projektin e tranzicionit të drejtë në REK Bitola, ku po përgatitet centrala e re kogjenerative “REK Bitola 1”, me mundësi përshtatjeje për përdorimin e hidrogjenit në të ardhmen.
“Nga shtet i varur nga një pikë hyrëse, Maqedonia po bëhet shtet i lidhur me më shumë drejtime dhe burime. Nga vëzhgues i proceseve rajonale, po shndërrohemi në pjesëmarrës aktiv”, përfundoi Bozhinovska.






