Aktivizimi i një mjeti shpërthyes në Bardovcë të Shkupit më 16 gusht ka shkaktuar përplasje politike mes opozitës dhe pushtetit. LSDM dhe VMRO-DPMNE kanë shkëmbyer akuza për fshehje të rastit, marrëveshje të dyshimta biznesi dhe manipulim të opinionit publik.
LSDM e riktheu sot në vëmendje rastin, duke prezantuar një videomaterial që, sipas partisë, është siguruar nga një sinjalizues. Nga opozita pretendojnë se mjeti shpërthyes është hedhur në oborrin e babait të një punonjësi të policisë në sektorin për krim të organizuar në MPB.
LSDM kërkoi nga Prokuroria Publike të hetojë rastin dhe ngriti dyshime për lidhje të mundshme me tenderë në REK dhe tokë ndërtimore në Shkup. Partia gjithashtu kërkoi përgjigje nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Nga VMRO-DPMNE i hodhën poshtë akuzat e opozitës, duke i cilësuar ato si “fabrikë lajmesh të rreme”. Partia në pushtet theksoi se incidenti është evidentuar në buletinin zyrtar të MPB-së dhe se nuk ka pasur fshehje të rastit.
Sipas VMRO-DPMNE-së, mjeti shpërthyes nuk është hedhur në shtëpinë e punonjësit të policisë, por në shtëpinë e babait të tij. Partia i mohoi gjithashtu pretendimet për lidhje korruptive dhe përfshirje të pushtetit në incident.






