Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Jarinjë, në kuadër të hetimeve për një rast të mëhershëm të “Falsifikimit të dokumenteve”.
Sipas policisë, i dyshuari I.S., i lindur në vitin 1985, është arrestuar në Jarinjë, ndërsa me urdhër të prokurorit është kontrolluar edhe banesa e tij në Leposaviq.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar 45 fishekë të kalibrave të ndryshëm, si dhe disa pjesë të uniformës.
Ndërsa, në lidhje me rastin e falsifikimit të dokumenteve, është sekuestruar edhe një telefon personal i tipit Redmi 5G.
Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë.
Policia ka njoftuar se veprimet e mëtejshme do të vazhdojnë në bashkëpunim me organet e drejtësisë.






