Komuna e Sarajit ka siguruar grant për realizimin e projektit “Ndihmë dhe kujdes në shtëpi”, i cili synon të përmirësojë mbështetjen sociale për personat dhe familjet që kanë nevojë për përkujdesje.
Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, njoftoi se sot në Klubin e Deputetëve në Shkup ka nënshkruar marrëveshjen për realizimin e projektit, në kuadër të Thirrjes së Parë Publike për zhvillimin e shërbimeve sociale në nivel lokal.
Përmes këtij projekti do të angazhohen persona të trajnuar, të cilët do të ofrojnë shërbime të drejtpërdrejta në shtëpitë e përfituesve, duke u ofruar ndihmë dhe përkujdesje sipas nevojave të tyre.
Elmazi e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm për avancimin e shërbimeve sociale në Saraj dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët që kanë nevojë për mbështetje.
Ai falënderoi Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë për mbështetjen dhe bashkëpunimin në realizimin e projektit.






