Zjarre të mëdha pyjore kanë përfshirë disa zona të Evropës Jugore, me situatën më kritike në Dalmaci të Kroacisë, në Greqi dhe në disa rajone të Maqedonisë së Veriut.
Në afërsi të Omishit në Kroaci, 36 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike në Split pas zjarrit të mbrëmshëm. Katërmbëdhjetë prej tyre janë shtruar në spital, ndërsa të tjerët janë lëshuar për trajtim në shtëpi. Shtatë pacientë janë në kujdes intensiv dhe, sipas raportimeve, jeta e tyre është në rrezik.
Nënkryetari i Komunës së Omishit, Ivan Pivçeviq, tha se dëmet janë të mëdha, me një numër të konsiderueshëm automjetesh dhe shtëpish të djegura.
Ndërkohë, zjarri ka përfshirë edhe vendbanimin turistik Siviri në Halkidiki të Greqisë. Nga zona janë evakuuar përmes detit 481 persona, me ndihmën e anijeve të Rojës Bregdetare, zjarrfikësve, peshkatarëve dhe mjeteve private.
Edhe Maqedonia e Veriut po përballet prej disa ditësh me zjarre në zona të ndryshme. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 40 zjarre në hapësira të hapura, disa prej të cilave kanë rrezikuar edhe vendbanimet.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, deklaroi se dita e kaluar ishte ndër më të vështirat e kësaj vere. Në fshatin Bogomillë të Komunës së Çashkës, zjarri iu afrua shtëpive, por falë reagimit të banorëve dhe zjarrfikësve u parandalua përhapja e tij.
Situata e vështirë është raportuar edhe në Pellagoni, ku janë rrezikuar tre fshatra.
Zjarre të mëdha pyjore janë raportuar këtë verë edhe në vende të tjera të Evropës, veçanërisht në Francë dhe Spanjë.






