VLEN: 25 vjet pas MO-së, barazia po bëhet ligj, zhvillimi po merr hov dhe rruga evropiane po forcohet

Advertisement

Me rastin e 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, VLEN ka zhvilluar një sërë panelesh dhe aktivitetesh të fokusuara në decentralizimin, zhvillimin lokal, barazinë dhe integrimin evropian të vendit.

Në aktivitetet morën pjesë bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, si dhe ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati.

Sipas VLEN-it, 25 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, parimet e saj po përkthehen në ligje, institucione dhe investime konkrete. Në këtë drejtim, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat synohet të institucionalizohet përmes ligjit, ndërsa decentralizimi të shoqërohet me financim dhe investime më të mëdha në komunat shqiptare.

Nga VLEN bëjnë të ditur se mbi 250 milionë euro janë orientuar për projekte lokale, ndërsa investimet në Korridorin VIII dhe autostradën Shkup-Bllacë pritet të forcojnë lidhjet e vendit me Kosovën, Shqipërinë dhe Evropën.

Në fokus është edhe arsimi, ku sipas VLEN-it janë paraparë rreth 42 milionë euro për kampusin e ri të Universitetit “Nënë Tereza”, krahas mbështetjes për kulturën shqiptare.

Nga VLEN theksojnë se synimi mbetet garantimi i barazisë përmes ligjit, zhvillimi i komunave shqiptare dhe forcimi i rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit