Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, pas takimit të sotëm me kryetarin e Komunës së Strugës, Mendi Qyra, vlerësoi se Struga është një qytet që promovon bashkëjetesën, respektin për dallimet etnike e fetare dhe mund të shërbejë si model për të gjithë vendin.
Ajo theksoi se vizita në Strugë nuk ishte rastësore, pasi u zhvillua në ditën e shënimit të 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Sipas saj, Struga përfaqëson një shembull të mirë të respektimit të diversitetit dhe bashkimit të qytetarëve përtej përkatësive politike dhe etnike.
Në fokus të bisedimeve ishin marrëdhëniet ndëretnike, gjendja në komunë dhe sfidat për ruajtjen e statusit të Rajonit të Ohrit në kuadër të UNESCO-s. Siljanovska-Davkova theksoi nevojën për koordinim më të madh ndërmjet institucioneve lokale dhe qendrore për zbatimin e rekomandimeve dhe detyrimeve që dalin nga UNESCO.
“Duhet ta shfrytëzojmë besimin dhe mundësinë që na është dhënë nga UNESCO. Komuna e Strugës, Komuna e Ohrit, ministritë përkatëse dhe shteti kanë përgjegjësi të përbashkët për mbrojtjen e këtij rajoni të veçantë”, deklaroi presidentja.
Ajo shprehu shqetësim për gjendjen e Liqenit të Ohrit dhe theksoi se rajoni paraqet një vlerë të rrallë ku mbrohet jo vetëm trashëgimia kulturore, por edhe mjedisi natyror.
Presidentja nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me Shqipërinë për mbrojtjen e liqenit, duke vlerësuar se përvojat dhe masat e ndërmarra nga vendi fqinj mund të jenë të dobishme.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, tha se Marrëveshja Kornizë mbetet themeli i bashkëjetesës në Maqedoninë e Veriut dhe se kjo temë zuri vend të rëndësishëm në takimin me presidenten.
Qyra theksoi nevojën për një qasje më serioze dhe më të koordinuar në zbatimin e rekomandimeve për mbrojtjen e Rajonit të Ohrit dhe përmbushjen e obligimeve që lidhen me UNESCO-n.






