Pesë vatra aktive zjarri janë duke u trajtuar aktualisht në komunat e Zhelinës, Tearcës dhe Jegunovcit, ka njoftuar komandanti i Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve, Avni Ameti.
Sipas Ametit, shumica e zjarreve dyshohet se janë shkaktuar nga faktori njeri, ndërsa temperaturat e larta dhe era e fortë po vështirësojnë përpjekjet e ekipeve për t’i vënë nën kontroll.
“Për momentin po përballemi me pesë zjarre aktive në Komunën e Zhelinës, Komunën e Tearcës dhe Komunën e Jegunovcit. Të gjitha këto zjarre fatkeqësisht po shkaktohen nga faktori njeri dhe, duke pasur parasysh motin shumë të nxehtë dhe erën që fryn, ato dalin jashtë kontrolli”, ka deklaruar Ameti.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve.
Ekipet zjarrfikëse vazhdojnë të jenë në terren dhe po punojnë për lokalizimin dhe shuarjen e vatrave aktive.






