Këtë vit në Liqenin e Ohrit do të lëshohen 1.6 milionë trofta të reja

Advertisement

Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, së bashku me përfaqësues të Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, ka vizituar Entin Hidrobiologjik në Ohër, ku është njohur nga afër me procesin e shumimit artificial të troftës së Ohrit.

Gjatë vizitës, përfaqësuesit e Entit Hidrobiologjik prezantuan fazat e procesit, nga mbledhja dhe inkubimi i ikrës, deri te rritja dhe përgatitja e peshqve të rinj për lëshim në Liqenin e Ohrit.

Sipas të dhënave të prezantuara, këtë vit planifikohet të lëshohen rreth 1.6 milionë trofta të reja në liqen, rreth 500 mijë më shumë se vitin e kaluar.

Hoxha tha se ripopullimi i Liqenit të Ohrit me troftë është rikthyer vitin e kaluar pas një ndërprerjeje gjashtëvjeçare dhe se këtë vit procesi po vazhdon me kapacitete më të mëdha.

“Trofta e Ohrit është një nga pasuritë më të çmuara të liqenit tonë dhe ruajtja e saj është përgjegjësi e përbashkët”, theksoi Hoxha.

Ministria e Bujqësisë njofton se do të vazhdojë mbështetjen institucionale për mbrojtjen, shumimin dhe ruajtjen e troftës së Ohrit, si një nga llojet autoktone të Liqenit të Ohrit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit