Azizi për Marrëveshjen e Ohrit: Pas më shumë se 20 vitesh, duhet të kërkojmë rezultate konkrete

Advertisement

Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, është zbatuar dhe trajtuar politikisht Marrëveshja e Ohrit gjatë më shumë se dy dekadave.

Azizi vlerëson se marrëveshja duhej të shërbente si proces për përfundimin e konfliktit të vitit 2001, zbatimin e reformave dhe avancimin e të drejtave dhe barazisë në vend.

Sipas tij, edhe më shumë se 20 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, disa prej çështjeve që lidhen me të vazhdojnë të mbeten pjesë e debatit politik.

“Dëmi më i madh që iu bë luftës së vitit 2001 dhe Marrëveshjes së Ohrit nuk është vetëm se shqiptarët nuk arritën barazinë e plotë. Dëmi më i madh është se një kauzë që duhej të përfundonte me realizimin e të drejtave në vitin 2004, u kthye në një premtim të përhershëm politik”, ka deklaruar Azizi.

Ai ka kritikuar veçanërisht periudhën e gjatë të qeverisjes së BDI-së, duke vlerësuar se pas kaq shumë vitesh duhet të ketë një vlerësim konkret të rezultateve të arritura.

“Kanë kaluar më shumë se dy dekada të qeverisjes së BDI-së dhe ende flasim për shtyllat bazë të Marrëveshjes së Ohrit sikur të ishin premtime me afat të pacaktuar”, ka thënë Azizi.

Deputeti i VLEN-it ka ngritur edhe çështjen e barazisë juridike dhe politike të shqiptarëve, duke theksuar se, sipas tij, ky proces ende nuk është përmbyllur.

“Sot nuk mjafton të thirresh në UÇK-në, në luftën apo në Marrëveshjen e Ohrit. Pas kaq shumë vitesh, pyetja është shumë më konkrete: Çfarë realizuat me gjithë atë pushtet?”, ka deklaruar Azizi.

Ai ka përfunduar se pas më shumë se dy dekadash duhet të bëhet një vlerësim i rezultateve konkrete të Marrëveshjes së Ohrit dhe i hapave që mbeten për t’u ndërmarrë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit