Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka prezantuar programin e aktiviteteve për shënimin e 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, i cili këtë vit do të zhvillohet nën moton “25 vjet dhe përtej”.
Zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi, tha se përvjetori nuk do të jetë vetëm një mundësi për të kujtuar të arriturat e Marrëveshjes së Ohrit gjatë 25 viteve të fundit, por edhe për të diskutuar për të ardhmen e vendit, të rinjtë dhe perspektivën evropiane.
Sipas Azizit, pjesa “dhe përtej” e motonës lidhet me nevojën për të parë përpara dhe për të diskutuar se çfarë e pret vendin në vitet e ardhshme.
“Do të fillojmë të shikojmë çfarë na pret përtej 25 viteve nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit. Do të shohim cila do të jetë ardhmëria e fëmijëve tanë, e rinisë sonë dhe cila do të jetë rruga që do ta trasojmë drejt Bashkimit Evropian”, deklaroi Azizi.
Në kuadër të programit janë planifikuar tre panele diskutimi, ku do të marrin pjesë figura të njohura nga jeta politike në vend dhe jashtë tij. Në fokus do të jenë tema si integrimi në Bashkimin Evropian, kohezioni shoqëror, pushteti lokal, decentralizimi, paqja e qëndrueshme dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit.
Aktiviteti qendror do të zhvillohet në Urën e Gurit në Shkup. Programi do të përfshijë performanca dhe aktivitete kulturore-artistike, ndërsa janë paraparë edhe fjalime protokollare. Në aktivitet pritet të jetë i pranishëm edhe trupi diplomatik.
“Me këto panele do të mundohemi të nxjerrim të gjitha ato pika që do të na japin një vizion se çfarë na pret në 25 vitet e ardhshme, duke përkujtuar edhe të kaluarën dhe atë që kemi bërë gjatë këtyre 25 viteve”, tha Azizi.
Në kuadër të aktiviteteve për përvjetorin do të mbahet edhe një seancë solemne në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Seanca do të kryesohet nga zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali.






