Fondi për Sigurim Shëndetësor (FSSH) ka reaguar lidhur me informacionet për statusin e sigurimit shëndetësor të disa punonjësve të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), duke theksuar se situata nuk është shkaktuar nga ndonjë problem teknik në sistemin e Fondit.
Nga FSSH bëjnë të ditur se në sistem janë evidentuar punonjës të MPB-së të cilët janë rikthyer në punë pas vendimeve gjyqësore. Për disa prej tyre, megjithatë, nuk rezulton ende e regjistruar pagesa e kontributeve për sigurim shëndetësor për periudhën në të cilën janë regjistruar.
Sipas Fondit, procedura funksionon sipas një mekanizmi të automatizuar dhe zbatohet në mënyrë të njëjtë për të gjithë punëdhënësit dhe institucionet në vend.
Regjistrimi i punonjësve, përllogaritja e pagave dhe pagesa e kontributeve realizohen përmes sistemit të arkëtimit të kontributeve të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, ndërsa FSSH e përcakton statusin e sigurimit në bazë të të dhënave për pagesat e kryera.
Në rastet kur një punonjës regjistrohet më vonë për një periudhë të kaluar, punëdhënësi duhet të bëjë përllogaritjen përkatëse të pagës për atë periudhë dhe të kryejë pagesën e kontributeve. Vetëm pas evidentimit të pagesës në sistem, sigurimi shëndetësor aktivizohet automatikisht.
FSSH thekson se nuk bëhet fjalë për ndonjë vendim individual të marrë nga Fondi dhe se punonjësit nuk janë çaktivizuar manualisht nga sistemi.
“Procesi është sistemor dhe i automatizuar dhe të njëjtat rregulla vlejnë për të gjithë punëdhënësit dhe institucionet, pa përjashtim”, sqarojnë nga Fondi.
Nga institucioni shtojnë se edhe më herët janë përballur me raste të ngjashme me punonjësit e tyre, duke e marrë këtë si dëshmi se procedura zbatohet njësoj për të gjitha subjektet juridike.
FSSH vlerëson se te institucionet me numër të madh të punonjësve, si MPB-ja, rikthimi në punë i personave në bazë të vendimeve gjyqësore mund të krijojë një numër më të madh rastesh të tilla, veçanërisht nëse nuk bëhen në kohë korrigjimet e pagave dhe pagesa e kontributeve.
Ndërkohë, përfaqësues të FSSH-së dhe MPB-së janë në komunikim të drejtpërdrejtë për të përfunduar procedurat e nevojshme dhe për të zgjidhur situatën sa më shpejt.






