Edhe pse ndryshimet ligjore për përdorimin e trotinetëve elektrikë kanë hyrë në fuqi rreth një muaj më parë, shqetësimet e qytetarëve për mënyrën e përdorimit të tyre vazhdojnë.
Qytetarët thonë se në shtigjet për këmbësorë shpesh lëvizet me shpejtësi dhe pa kujdes të mjaftueshëm ndaj këmbësorëve. Sipas tyre, në disa raste trotinetët drejtohen edhe nga persona të mitur, të cilëve ligji ua ndalon këtë.
Ndryshimet ligjore përcaktojnë rregulla të reja për përdorimin e mjeteve të lehta elektrike. Në shtigjet për këmbësorë, shpejtësia maksimale është e kufizuar në 5 kilometra në orë, ndërsa në shtigjet për biçikleta lejohet shpejtësi deri në 20 kilometra në orë.
Sipas dispozitave të reja, personat e mitur nuk mund të drejtojnë trotinetë elektrikë. Drejtuesit duhet të mbajnë helmetë mbrojtëse dhe nuk lejohet transportimi i personave të tjerë në trotinet.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se kontrollet po vazhdojnë dhe se janë shqiptuar sanksione për shkeljet e evidentuara.
“Në periudhën nga 1 deri më 6 gusht të këtij viti, në territorin e gjithë shtetit janë sanksionuar gjithsej 117 drejtues të mjeteve të lehta elektrike, përkatësisht trotinetëve. Prej tyre, 19 në territorin e SPB Shkup, 10 në rajonin e SPB Tetovë, 21 në SPB Strumicë, 6 në SPB Veles, 46 në territorin e SPB Manastir, 4 në rajonin e SPB Ohër, ndërsa nga njësia mobile për sigurinë e trafikut rrugor janë sanksionuar 11 drejtues të mjeteve të lehta elektrike”, deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andrejevski.
Gjoba maksimale për mosrespektimin e dispozitave ligjore arrin deri në 275 euro. Në varësi të kundërvajtjes, parashikohet edhe mundësia e konfiskimit të trotinetit.
Ndërkohë, sipas një hulumtimi, përdoruesit e trotinetëve elektrikë janë të ekspozuar ndaj rrezikut për lëndime serioze, veçanërisht në kokë, në rast të aksidenteve.






