Mërgimtarët gjallërojnë ekonominë e Tetovës, rritet aktiviteti në bizneset lokale

Advertisement

Ardhja e mërgimtarëve gjatë muajve të verës vazhdon të ketë ndikim në aktivitetin ekonomik në Tetovë dhe zonat përreth. Shpenzimet e diasporës ndikojnë në konsumin e brendshëm dhe në qarkullimin e bizneseve në sektorë të ndryshëm.

Ekonomisti Ali Maksuti vlerëson se gjatë vitit në vend hyjnë qindra miliona euro përmes remitancave të mërgimtarëve, një pjesë e të cilave shpenzohet për konsum dhe në bizneset lokale.

“Çdo vit të hyrat, apo remitancat vjetore, llogariten nga 250 deri në 300 milionë euro. Këto janë të hyra që vijnë nga mërgimtarët gjatë verës, por ata dërgojnë mjete edhe gjatë gjithë vitit për familjet e tyre. Kjo shumë është neto. Kam thënë edhe më herët se këto remitanca duhet të kanalizohen në investime kapitale, sepse kanë ndikim në sektorë të ndryshëm, por kryesisht në mënyrë të tërthortë”, tha Maksuti.

Sipas tij, pjesa më e madhe e këtyre mjeteve përdoret për konsum, ndërsa një pjesë më e vogël për investime në patundshmëri. Ai e konsideron ardhjen e mërgimtarëve një faktor të rëndësishëm për familjet që jetojnë në vend.

Rritja e konsumit gjatë sezonit veror është vërejtur edhe në bizneset e Tetovës. Ndër sektorët që përfitojnë tradicionalisht nga ardhja e diasporës janë argjendaritë, tekstili, veshmbathjet dhe gastronomia.

Mensur Arifi, kryetar i Odës së Zejtarëve të Tetovës, thotë se këtë vit në aktivitetin e argjendarive kanë ndikuar si ardhja e mërgimtarëve, ashtu edhe ndryshimet në çmimin e arit.

“Sivjet ka pasur më shumë mërgimtarë dhe ka pasur më shumë lëvizje. Ka pasur edhe ndryshim të çmimit të arit, i cili nga 154.000 ka zbritur në 112.000 euro, dhe kjo ka pasur ndikim në shitjet tona. Si sezon, është njësoj si gjithmonë, por kur çmimi i arit bie, fitimi është më i mirë dhe kjo është ajo që sivjet na ndihmon neve”, deklaroi Arifi.

Efekti i ardhjes së mërgimtarëve është vërejtur edhe në sektorin e tekstilit dhe veshmbathjeve. Bizneset e këtij sektori raportojnë për rritje të numrit të klientëve gjatë muajve të verës.

“Ka pasur shumë mërgimtarë dhe për momentin është mirë, sepse me ardhjen e tyre gjithmonë shtohet puna. Është mirë, super”, tha një pronar butiku në Tetovë.

Rritje të aktivitetit gjatë kësaj periudhe raportohet edhe në gastronomi, veçanërisht në organizimet familjare. Restorantet që organizojnë dasma dhe ahengje kanë pasur më shumë rezervime gjatë muajve të verës.

Shpenzimet e diasporës ndikojnë kështu në qarkullimin e një sërë bizneseve lokale, duke përfshirë dyqanet, restorantet, argjendaritë dhe butiqet.

Ndërkohë, sipas ekonomistëve, një nga sfidat mbetet orientimi i një pjese më të madhe të remitancave drejt investimeve, në mënyrë që ndikimi ekonomik i diasporës të jetë më afatgjatë.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit