Moti përvëlues, ISHP me rekomandime për mbrojtjen e punëtorëve

Advertisement

Moti përvëlues ka përfshirë vendin këtë fundjavë, me temperatura që arrijnë deri në 40 gradë Celsius. Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike ka bërë të ditur se është aktiv niveli portokalli i rrezikut për shkak të temperaturave të larta.

Përballë këtyre kushteve, Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar rekomandime për mbrojtjen e punëtorëve dhe kategorive më të ndjeshme të qytetarëve.

Ndër kategoritë më të rrezikuara gjatë valëve të të nxehtit janë punëtorët që angazhohen në ambiente të hapura ose në hapësira të mbyllura me temperatura të larta, veçanërisht kur puna përfshin ekspozim të drejtpërdrejtë në diell, temperatura të larta apo sforcim të madh fizik.

Kategoritë e rrezikuara:

  • Punëtorët e ndërtimit
  • Punëtorët komunalë
  • Bujqit
  • Shpërndarësit
  • Policët e trafikut
  • Punëtorët në prodhim
  • Kuzhinierët dhe stafi i kuzhinës
  • Punëtorët në furra buke
  • Punëtorët në shkritore

Sipas ISHP-së, punëdhënësit duhet ta përshtatin organizimin e punës me kushtet e motit. Në periudhën nga ora 11:00 deri në 17:00, kur ngarkesa termike është më e madhe, rekomandohen pushime më të shpeshta, rotacion i punëtorëve dhe, kur është e mundur, zhvendosja e aktiviteteve fizike në orët më të freskëta.

Masat për punëdhënësit:

  • Ventilim dhe klimatizim
  • Hijezim i hapësirave
  • Matje e temperaturës
  • Hapësirë për freskim
  • Pushime më të shpeshta
  • Rotacion i punëtorëve
  • Punë në turne
  • Orar fleksibil
  • Punë nga distanca, kur është e mundur
  • Shmangie e punës në diell
  • Ulje e sforcimit fizik

ISHP rekomandon që detyrat që kërkojnë sforcim të madh fizik, kur procesi i punës e lejon, të kryhen herët në mëngjes ose në orët e vona të pasdites. Vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet punonjësve më të ndjeshëm ndaj temperaturave të larta.

Kategoritë më të ndjeshme:

  • Persona me sëmundje kronike
  • Punëtorë të moshuar
  • Gra shtatzëna
  • Persona me mbipeshë trupore

Edhe vetë punëtorët duhet të marrin masa mbrojtëse gjatë ditëve me temperatura të larta. Rekomandohet konsumimi i mjaftueshëm i ujit, shmangia e alkoolit dhe konsumit të tepërt të kafeinës, si dhe përdorimi i veshjeve të lehta dhe mbrojtjes nga dielli.

Për mbrojtje nga vapa rekomandohet:

  • Konsumim i mjaftueshëm i ujit
  • Elektrolite sipas nevojës
  • Veshje të lehta dhe pambuku
  • Kapelë
  • Syze dielli
  • Krem mbrojtës ndaj diellit
  • Qëndrim në hije
  • Qëndrim në hapësira të freskëta ose të klimatizuara

Punëtorët duhet të njohin edhe shenjat e para të rraskapitjes dhe goditjes nga nxehtësia. Marramendja, dobësia, dhimbja e kokës, të përzierat, djersitja e tepërt, ndërprerja e djersitjes dhe konfuzioni mund të jenë shenja që kërkojnë reagim të menjëhershëm.

Shenjat e rrezikut:

  • Marramendje
  • Dobësi
  • Dhimbje koke
  • Të përziera
  • Djersitje e tepërt
  • Ndërprerje e djersitjes
  • Konfuzion

Në rast dyshimi për goditje nga nxehtësia, rekomandohet thirrja e menjëhershme e ndihmës mjekësore në 194 ose 112. Deri në ardhjen e ekipeve mjekësore, personi duhet të dërgohet në një hapësirë të freskët, të ftohet me ujë dhe kompresa të ftohta dhe të mbahet nën vëzhgim. Në rast pavetëdijeje, personi duhet të vendoset në pozicion anësor.

Edhe ditët në vijim pritet mot i nxehtë

Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike paralajmëron se edhe në ditët në vijim do të mbajë mot me diell dhe shumë të nxehtë, me vranësira të vogla deri në të moderuara gjatë ditës.

Gjatë orëve të pasdites nesër pritet zhvillim lokal i vranësirave të paqëndrueshme, i shoqëruar me reshje shiu dhe bubullima.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit