Bisedimet me Brukselin larg publikut, Jashari: Janë legjitime, rëndësi ka procesi

Advertisement

Deklarata e ministrit të Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, se po zhvillohen bisedime me Bashkimin Evropian për tejkalimin e ngërçit në procesin e integrimit evropian ka nxitur reagime në skenën politike dhe në opinionin publik.

Profesori universitar Hasan Jashari vlerëson se kontaktet me institucionet evropiane dhe vendet fqinje janë të nevojshme, përfshirë edhe takimet që mund të zhvillohen në mënyrë diskrete.

Sipas tij, Qeveria ka të drejtë të zhvillojë bisedime të hapura dhe të mbyllura, por transparenca do të ndihmonte në shmangien e akuzave dhe kundërakuzave politike.

“Është mirë që bisedohet, pa marrë parasysh nëse bisedat bëhen të fshehta, edhe me Bashkimin Evropian, edhe me ndërmjetës, edhe me Bullgarinë. […] Por, do të ishte më mirë që të kishte transparencë”, deklaroi Jashari.

Ai thekson se kritikat e partive politike janë pjesë e debatit demokratik dhe se subjektet politike i mbrojnë qëndrimet e tyre në përputhje me interesat e tyre politike.

Ndërkohë, LSDM ka ngritur pretendime për bisedime të fshehta me Brukselin dhe ka shprehur dyshime se Qeveria mund të pranojë të ashtuquajturin propozim francez.

Ministria e Punëve të Jashtme i ka mohuar këto pretendime, duke theksuar se nuk ka marrëveshje apo negociata të fshehta. Nga Ministria kanë përsëritur gjithashtu qëndrimin se në procesin e integrimit evropian nuk do të ketë lëshime për çështjet që lidhen me interesat kombëtare, identitetin, gjuhën dhe historinë.

Ndërkohë, mbetet e hapur çështja nëse bisedimet me partnerët evropianë do të çojnë në një zgjidhje konkrete për tejkalimin e ngërçit në procesin e integrimit të vendit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit