Rriten rastet me infeksione virale të traktit digjestiv, mjekët apelojnë për kujdes

Advertisement

Te mjekët amë është vërejtur rritje e numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë për simptoma të infeksioneve virale të traktit digjestiv.

Mjeku Benjamin Kamberi thotë se simptomat më të shpeshta janë diarreja, dhimbjet e barkut dhe të vjellat, ndërsa në raste më të rënda mund të shfaqet edhe dehidratimi.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe një nga shkaktarët e mundshëm janë rotaviruset, ndërsa simptoma të ngjashme mund të shfaqen edhe pas konsumimit të ushqimeve të përgatitura ose të ruajtura në kushte jo të përshtatshme.

Kamberi u rekomandon qytetarëve të kenë kujdes gjatë përgatitjes dhe ruajtjes së ushqimeve, të konsumojnë produkte të freskëta dhe të sigurta dhe të kujdesen për higjienën.

Ai këshillon gjithashtu ventilimin e hapësirave të mbyllura dhe shmangien e kontaktit me persona që kanë simptoma të ngjashme.

Personat që shfaqin simptoma duhet të konsultohen me mjekun dhe të kujdesen veçanërisht për hidratimin e organizmit, ndërsa sipas nevojës mund të përdoren terapi simptomatike, probiotikë dhe elektrolite.

Mjekët rekomandojnë konsumim të mjaftueshëm të ujit dhe shmangien e alkoolit, pijeve energjike dhe ushqimeve me shumë sheqer. Për personat me sëmundje kronike këshillohet vazhdimi i rregullt i terapisë së përshkruar.

Gjatë temperaturave të larta, rekomandohet gjithashtu shmangia e qëndrimit jashtë në orët më të nxehta, veçanërisht nga ora 11:00 deri në 17:00.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit