Një pacient nga Shkupi, i cili pësoi lëndim të boshtit kurrizor gjatë një incidenti në një rrëshqitëse uji në Kushadasi të Turqisë, është transportuar në mënyrë të sigurt në Maqedoninë e Veriut dhe është pranuar në Klinikën Universitare për TOARILUC.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pacienti ishte duke u trajtuar në një spital në Turqi, ku më 23 korrik iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Për shkak të seriozitetit të lëndimit dhe rekomandimit të mjekëve turq, u organizua transporti i tij mjekësor ajror drejt vendit.
Transporti u realizua në bashkëpunim mes Ministrisë së Shëndetësisë, Qeverisë, Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta dhe ekipeve mjekësore.
Në Turqi u dërgua një ekip profesional mjekësor, i cili e shoqëroi pacientin gjatë gjithë transportit deri në Shkup.
Pas mbërritjes, pacienti është vendosur në Repartin e Mjekimit Intensiv pranë Klinikës për TOARILUC, ku do të vazhdojë trajtimin.
Drejtori i Klinikës, dr. Igor Merxhanoski, tha se gjendja e pacientit kërkon monitorim dhe trajtim intensiv.
“Lëndimet e boshtit kurrizor bëjnë pjesë ndër lëndimet më serioze dhe kërkojnë monitorim të kujdesshëm, qasje multidisiplinare dhe trajtim afatgjatë”, deklaroi Merxhanoski.
Në ditët në vijim priten ekzaminime shtesë, pas të cilave do të përcaktohet vazhdimi i trajtimit dhe rehabilitimit të pacientit.






