Më shumë se 240 raste të virusit të Nilit Perëndimor janë konfirmuar këtë vit në Evropë, ndërsa Maqedonia e Veriut renditet ndër vendet me numrin më të lartë të rasteve, sipas raportit të fundit të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).
Sipas raportit, Italia ka 139 raste, Greqia 61, Spanja 17, ndërsa Maqedonia e Veriut figuron me 13 raste në të dhënat e ECDC-së. Megjithatë, sipas të dhënave më të fundit të institucioneve vendore, deri dje në vend janë regjistruar gjithsej 20 raste. Në Rumani janë raportuar gjashtë raste, në Francë katër dhe në Gjermani një.
Në fund të muajit të kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri thirrje për rritje të vigjilencës, pas raportimit të rasteve të etheve të Nilit Perëndimor në disa vende të Evropës Jugore.
Virusi zakonisht qarkullon mes mushkonjave dhe zogjve, ndërsa njerëzit infektohen përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Periudha nga korriku deri në shtator konsiderohet ndër muajt me rrezikun më të lartë të transmetimit.
Shumica e personave të infektuar nuk shfaqin simptoma dhe mund të mos jenë të vetëdijshëm se janë infektuar. Në raste më të rënda, virusi mund të prekë sistemin nervor dhe të shkaktojë komplikime si encefaliti ose meningjiti.
Aktualisht nuk ka vaksinë apo trajtim specifik për virusin e Nilit Perëndimor, ndërsa trajtimi mjekësor fokusohet në lehtësimin e simptomave.
OBSH rekomandon përdorimin e repelentëve kundër mushkonjave, veshjen e rrobave që mbulojnë pjesët e ekspozuara të trupit dhe marrjen e masave për shmangien e pickimeve.






