Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të koalicionit VLEN, duke shprehur shqetësim për, siç thotë, ndërhyrjet politike në punën e prokurorisë dhe gjykatave.
Nga BDI vlerësojnë se institucionet e drejtësisë duhet të marrin vendime në bazë të ligjit, provave dhe ekspertizave, pa ndikime politike apo partiake.
Partia i referohet edhe raporteve të institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, të cilat sipas BDI-së kanë ngritur shqetësime lidhur me pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe sundimin e ligjit.
BDI u bën thirrje institucioneve kompetente që të garantojnë, siç shprehet partia, drejtësi të barabartë dhe joselektive.
Në reagim, BDI akuzon VLEN-in se po përdor çështjet e drejtësisë për përplasje politike dhe kërkon që, nëse ka dyshime për shkelje ligjore, ato të trajtohen nga institucionet përkatëse.
Partia përmend gjithashtu disa figura politike të VLEN-it dhe pretendime për dëme financiare, duke kërkuar që çdo rast eventual të hetohet dhe të vlerësohet nga organet kompetente.
BDI thekson se përgjegjësia duhet të përcaktohet në bazë të provave dhe procedurave ligjore, ndërsa akuzat e bëra nga partitë politike duhet të verifikohen nga institucionet përkatëse.






