Transportuesit e Ballkanit paralajmërojnë bllokim të kufijve për shkak të rregullave të Shengenit

Advertisement

Transportuesit ndërkombëtarë nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi kanë paralajmëruar protesta dhe bllokim të pikave kufitare, duke kërkuar zgjidhje për kufizimet që u imponohen shoferëve profesionistë në zonën Shengen.

Shoqatat e transportuesve kanë njoftuar se më 11 gusht do të mbajnë një takim urgjent rajonal në Maqedoninë e Veriut, ku do të vendosin për hapat e mëtejshëm, përfshirë protesta masive dhe bllokimin e qarkullimit të mallrave në vendkalimet kryesore kufitare.

Në qendër të kontestit është zbatimi i rregullit të Shengenit “90/180 ditë”, i cili kufizon qëndrimin e shtetasve të vendeve jashtë Bashkimit Evropian në maksimum 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh. Transportuesit argumentojnë se ky rregull është hartuar për turistët dhe jo për shoferët profesionistë, duke shkaktuar vështirësi serioze në transportin ndërkombëtar.

Sipas tyre, pavarësisht një marrëveshjeje të përkohshme të arritur në prill, autoritetet kufitare në disa shtete të BE-së nuk po e zbatojnë atë në praktikë. Si pasojë, shumë shoferëve u refuzohet hyrja në vende si Kroacia, Hungaria dhe Rumania, duke shkaktuar humbje financiare për kompanitë e transportit.

Transportuesit kanë kërkuar një takim urgjent me përfaqësues të Bashkimit Evropian, por thonë se është propozuar vetëm një takim online në fund të javës së ardhshme. Ata e konsiderojnë këtë të pamjaftueshme dhe paralajmërojnë se, nëse nuk gjendet një zgjidhje, protestat mund të përshkallëzohen dhe të ndikojnë në qarkullimin e mallrave mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit