Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se gjatë një kontrolli aksional në trafik janë evidentuar 222 kundërvajtje të kryera nga drejtues të motoçikletave, ndërsa 14 persona janë privuar nga liria për vozitje të papërgjegjshme.
Kontrolli është zhvilluar më 5 gusht, nga ora 17:00 deri në 23:00, në territorin e Maqedonisë së Veriut, me qëllim sanksionimin e shkeljeve të kryera nga motoçiklistët.
Nga MPB bëjnë të ditur se 186 drejtues nuk kishin përdorur helmetë mbrojtëse gjatë vozitjes, ndërsa 14 persona janë arrestuar pasi kanë drejtuar motoçikleta pa leje vozitjeje, duke kryer vepër penale sipas nenit 297-a të Kodit Penal. Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe 14 motoçikleta.
Përveç këtyre rasteve, gjatë kontrollit janë konstatuar edhe 197 shkelje të tjera të rregullave të trafikut.
Nga MPB njoftojnë se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe apelojnë te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat për të kontribuar në rritjen e sigurisë në rrugë.






