| Sot, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve për financimin e segmentit Kriva Pallankë – Deve Bair, Kryeministri Hristijan Mickoski iu përgjigj edhe një pyetjeje gazetareske lidhur me akuzat e fundit të opozitës në lidhje me raportin më të ri të Eurostat-it, i cili ka të bëjë me fuqinë blerëse të qytetarëve në vendet e Evropës.
“Sa i përket pyetjes për raportin e Eurostat-it mbi fuqinë blerëse, ditëve të fundit pati deklarata nga opozita dhe nga disa media që ndajnë të njëjtin qëndrim me opozitën. U zhvillua një fushatë sipërfaqësore, e cila edhe një herë u demantua dhe përsëri, besoj se opozita dhe një pjesë e mediave do të zhgënjehen, sepse Maqedonia nuk është më e dobëta, por është më mirë se disa vende të Bashkimit Evropian dhe do të thosha, para të gjitha vendeve të rajonit kur bëhet fjalë për fuqinë blerëse të qytetarëve”, shtoi Mickoski.
Kryeministri Mickoski theksoi se personalisht vlerëson se dallimi në krahasim me gjendjen e para tre-katër viteve është i dukshëm dhe se përparimi i vendit është i qartë, por shtoi se kjo ende nuk është e mjaftueshme dhe se ai dhe Qeveria do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve dhe zhvillimin e vendit.
“Nëse kjo krahasohet me shifrat prej para tre-katër viteve, mund të vërehet një përparim i konsiderueshëm. A është kjo e mjaftueshme? Jo. A do të punojmë për më shumë dhe më mirë? Absolutisht – jemi të motivuar më shumë se kurrë. Ata do të vazhdojnë të krijojnë histeri mbi bazën e konstrukteve dhe gënjeshtrave, ndërsa ne do t’i përveshim mëngët, ashtu siç kemi bërë edhe gjatë këtyre 25 muajve dhe do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për vendin dhe për qytetarët”, konkludoi Kryeministri Mickoski. |