Dhjetë vjet nga përmbytjet në Shkup – humbën jetën 22 persona, viktima më e re ishte një fëmijë dyvjeçar

Advertisement

Më 6 gusht 2016, Maqedonia u përfshi nga një stuhi e fuqishme, e shoqëruar me reshje të dendura shiu, bubullima dhe erëra të forta. Stuhia fillimisht përfshiu rajonin e Pollogut, ndërsa më pas, me intensitetin më të madh, u përhap në rajonin e Shkupit.

Brenda 24 orëve, në Shkup ranë 93 litra shi për metër katror, ndërsa vetëm gjatë dy orëve të para të stuhisë u regjistruan më shumë se 800 vetëtima dhe bubullima.

Më së shumti u goditën pjesët verilindore të kryeqytetit, veçanërisht fshatrat Stajkovc, Hasanbeg, Smillkovc, Creshovë dhe Haraçinë.

Stuhia shkaktoi përmbytje të mëdha, dëme të konsiderueshme materiale dhe viktima në njerëz. Sipas të dhënave zyrtare, në rajonin e Shkupit humbën jetën 22 persona. Pjesa më e madhe e viktimave ishin të moshuar, mes tyre edhe persona të sëmurë dhe të pafuqishëm. Viktima më e re ishte një fëmijë vetëm dyvjeçar.

Në klinikat e Shkupit u pranuan 22 persona të lënduar, ndërsa gjatë natës pas stuhisë u evakuuan më shumë se 1.000 qytetarë. Shumë banorë mbetën pa shtëpi, ndërsa përmbytjet shkaktuan dëme serioze në infrastrukturë dhe në pronat private.

Pas stuhisë, qytetarët u organizuan përmes rrjeteve sociale dhe hapën pika për grumbullimin dhe shpërndarjen e ndihmave për familjet e prekura.

Qeveria shpalli gjendje krize në rajonin e Shkupit dhe të Tetovës për një periudhë prej 15 ditësh, ndërsa 8 gushti 2016 u shpall Ditë Zie në të gjithë territorin e vendit.

Disa ditë pas përmbytjeve filluan aktivitetet për pastrimin dhe dezinfektimin e shtëpive të prekura nga uji.

Rajoni i Shkupit edhe sot e kujton 6 gushtin e vitit 2016 si një nga ditët më të rënda në historinë e re, kur brenda vetëm disa orëve stuhia e fuqishme la pasoja të përhershme për mijëra qytetarë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit