Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska dhe drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Daniela Jovçevska Mihajllovska, do të mbajnë sot konferencë për shtyp lidhur me zhvillimin e provimit të maturës shtetërore dhe rezultatet e afatit të provimeve të qershorit për vitin shkollor 2025–2026.
Më shumë se 14.500 maturantë ishin regjistruar për dhënien e provimit të maturës dhe më 6 qershor ata zhvilluan provimin e parë ekstern, i cili është zgjedhor për kandidatët. Provimin e detyrueshëm ekstern (gjuhë amtare dhe letërsi) maturantët e zhvilluan më 11 gjegjësisht 12 qershor. Në përputhje me ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Mesëm, këtë vit për herë të parë zhvillohen tre lloje të provimeve të maturës, sipas llojit të arsimit, matura shtetërore, matura profesionale shtetërore, dhe matura artistike shtetërore.
Sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore të Provimeve (QShP), e cila organizon dhe zbaton provimin e maturës, nga gjithsej 14.587 nxënës të regjistruar për të dhënë maturën, 12.184 nxënës u regjistruan për maturën shtetërore, 2.276 nxënës për maturën profesionale shtetërore, 127 nxënës për maturën artistike shtetërore.
Ministrja e Arsimit deklaroi në mesin e muajit qershor se matura shtetërore këtë vit u zhvillua në rendin më të mirë, me një ulje të ndjeshme të numrit të rasteve të kopjimit gjatë provimeve.
Janevska më pas vlerësoi se organizimi i provimit ishte në një nivel të lartë, ku shumica e studentëve i dhanë provimet me ndërgjegje dhe pa keqpërdorime.
“Mund të mburremi se këtë vit matura shtetërore u zhvillua në rendin dhe qetësinë më të mirë, e organizuar ashtu siç duhet, kryesisht në hapësira të mëdha, ku nxënësit nuk patën mundësi të përdornin veprime të paligjshme,” tha Janevska.
Ajo theksoi se numri i nxënësve që u përjashtuan nga provimet për shkak të kopjimit ishte dukshëm më i ulët krahasuar me vitet e kaluara.
“Nga të dy afatet e provimeve janë përjashtuar rreth gjashtëdhjetë nxënës, gjë që tregon një përparim të madh në zbatimin e maturës,” theksoi ministrja, duke shtuar se bëhet fjalë për nxënës të cilët janë kapur duke kopjuar dhe janë përjashtuar menjëherë nga provimi.
Janevska atëherë informoi se këta nxënës do të kenë mundësi ta japin përsëri provimin në afatin e ardhshëm të provimeve, përkatësisht në muajin gusht.






