Vijojnë reagimet pas shpalljes “non grata” të Belës dhe Alimit, Lamallari: Nuk lejojmë agjenda që cenojnë sigurinë

Advertisement

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka deklaruar se vendimi për shpalljen persona të padëshiruar për një periudhë 10-vjeçare të Valon Belës dhe Bekir Halimit nga Maqedonia e Veriut është marrë më 17 korrik, me qëllim mbrojtjen e interesit kombëtar.

Në një intervistë për emisionin “Tirana Live” në ABC News, Lamallari tha se Shqipëria nuk do të lejojë veprime apo agjenda që, sipas tij, mund të cenojnë sigurinë e vendit. Ai shtoi se institucionet e sigurisë do të vazhdojnë punën për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Sipas ministrit, vendimi është marrë pas analizimit të informacioneve të siguruara dhe konsultimeve me institucionet përgjegjëse të sigurisë.

“Sa më shumë i afrohemi familjes europiane, duhet të sillemi si një vend anëtar, duke marrë masat e nevojshme për të garantuar sigurinë kombëtare dhe për të parandaluar ndërhyrje apo agjenda që mund të jenë të dëmshme për Shqipërinë dhe rajonin”, deklaroi Lamallari.

Pas vendimit, analisti Valon Bela ka reaguar përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, duke kundërshtuar masën ndaj tij. Ai tha se ka marrë 22 mirënjohje nga ushtria e NATO-s dhe kritikoi mënyrën se si është marrë vendimi për shpalljen e tij person i padëshiruar.

Edhe Bekir Alimi ka reaguar ndaj vendimit, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe duke deklaruar se do të kërkojë drejtësi përmes rrugëve ligjore.

Vendimi ka shkaktuar reagime dhe debat publik, ku autoritetet shqiptare e lidhin atë me çështje të sigurisë, ndërsa Bela dhe Alimi kundërshtojnë masën e marrë ndaj tyre.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit