Nikolloski: Gjithmonë jemi të gatshëm për zgjedhje

Advertisement

Shkup, 5 gusht, Zhurnal.mk – Pushteti është i gatshëm për zgjedhje në çdo moment, por pritjet janë që të shkohet në zgjedhje të rregullta për t’u realizuar të gjitha projektet e planifikuara, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.

Në intervistën për emisionin “Vesti plus” në TV Kanal 5, Nikolloski u ndal te çështja e Kodit Zgjedhor dhe pritjet për marrëveshje me opozitën.

“Ne jemi gjithmonë të gatshëm për zgjedhje. Kur cilado qeveri hyn në pjesën e dytë të mandatit, është normale të priten zgjedhje në një moment të caktuar. Ne do të ishim të lumtur nëse shkojmë në zgjedhje të rregullta, nëse i realizojmë projektet te të cilat jemi të fokusuar, por jemi gjithmonë të gatshëm edhe për sfidën që aktualisht nuk ekziston, kështu që më së shumti gjasat janë të shkojmë në zgjedhje të rregullta”, deklaroi Nikolloski.

Sa i përket votimit dhe ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, zëvendëskryeministri theksoi se prioritet kryesor mbetet e drejta e barabartë e votës për të gjithë qytetarët.

“Kërkesa jonë është të mundësohet e drejtë e barabartë zgjedhore për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, e këtu përfshihen edhe njerëzit që jetojnë në diasporë, kështu që shpresoj se do të gjendet zgjidhje”, tha ai.

Duke komentuar akuzat e opozitës për izolim të mundshëm të vendit dhe nevojën për konsensus kombëtar, Nikolloski theksoi se pushteti i mëparshëm e ka krijuar problemin.

“Do të ishte mirë të ketë konsensus, edhe pse ata me të cilët duhet të ndërtohet konsensus janë pikërisht ata që e krijuan problemin. Ndërkohë që ishin në pushtet, pranuan obligime që nuk mund të realizohen dhe obligime që janë në dëm të interesave kombëtare maqedonase. Duhet të jemi të vetëdijshëm me kë kemi punë”, deklaroi ai.

Ai theksoi se në lidhje me reformat nga Plani për Rritje, vendi është lider absolut në rajon dhe se kryeministri Hristijan Mickoski e koordinon personalisht këtë proces.

“Veçse jemi në situatë kur do të ndërmerren hapa shtesë me qëllim që të sigurohen mjete shtesë nga Bashkimi Evropian si shpërblim për reformat. Ky është proces që personalisht e koordinon kryeministri Mickoski. Ne në baza javore kemi takime për këtë temë dhe takime me BE‑në, dhe rezultatet janë të dukshme për të gjithë”, theksoi Nikolloski.

Sa i përket gjendjes në Gostivar, Nikolloski nënvizoi se kjo është kompetencë e vetëqeverisjes lokale, por se Qeveria është përfshirë për t’u ndihmuar qytetarëve.

“Pamë se komuna nuk ka kapacitet të përballet me problemin, ajo e krijoi problemin dhe Qeveria vullnetarisht vendosi të përfshihet dhe ta zgjidhë problemin. Kjo tregon se Qeveria ka qëllim të mirë ta zgjidhë edhe këtë, dhe shpresoj që së shpejti do të kenë ujë të sigurt për pije. Ndërkohë, prokuroria le ta kryejë punën e saj, t’i hetojë të gjithë ata që janë potencialisht të dyshuar dhe ata që kanë kryer vepër penale, sigurisht të përgjigjen”, deklaroi Nikolloski.

përcjell Zhurnal.mk .

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit