Zjarret dhe valët e të nxehtit që kanë përfshirë Francën, Spanjën dhe vende të tjera të Evropës kanë shkaktuar deri tani më shumë se 3 miliardë euro dëme, sipas një analize të Financial Times. Sipas përllogaritjeve, në dy muajt e parë të sezonit të zjarreve janë djegur gati 500 mijë hektarë, ndërsa kostoja ekonomike për pesë vendet më të prekura të Eurozonës – Francën, Spanjën, Portugalinë, Greqinë dhe Rumaninë – ka arritur në 3.1 miliardë euro. Shifra tejkalon ndjeshëm vlerësimin e Komisionit Evropian, i cili llogarit se zjarret i kushtojnë mesatarisht 2.5 miliardë euro në vit të gjithë Bashkimit Evropian. Analiza bazohet në metodologjinë e përdorur nga Komisioni Evropian dhe përllogarit koston e rikthimit të zonave të djegura në gjendjen e mëparshme, përfshirë ripyllëzimin dhe mirëmbajtjen.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se dëmi real do të jetë shumë më i madh, pasi ende nuk janë përllogaritur humbjet në banesa, biznese, bujqësi dhe turizëm, si edhe rritja e kostove të sigurimeve dhe investimet shtesë për mbrojtjen nga zjarret. Në Greqi, autoritetet vijojnë të vlerësojnë dëmet nga zjarret e ditëve të fundit, ndërsa thatësira ka nisur të ndikojë edhe në ekonominë evropiane. Rënia e nivelit të ujit në lumenjtë Rin dhe Danub po pengon transportin e mallrave dhe ka detyruar disa industri të ulin prodhimin. Në Hungari, niveli rekord i ulët i Danubit pritet të çojë në ndalimin e centralit bërthamor që furnizon pothuajse gjysmën e energjisë elektrike të vendit, ndërsa Rumania ka pezulluar funksionimin e njërit prej dy reaktorëve të centralit bërthamor të Çernavodës.
Ekspertja e ekonomisë së klimës në ETH Zurich, Sarah Meier, vlerëson se kostoja reale e zjarreve mund të jetë shumë më e lartë. “Nëse zjarret arrijnë në qytete, kostoja do të jetë shumë, shumë më e madhe”, tha ajo. Ndër zonat më të goditura është departamenti Gironde në Francë, ku zjarret detyruan kompani të mëdha si Safran, Dassault Aviation dhe ArianeGroup të pezullonin përkohësisht aktivitetin. Dhoma e Tregtisë e Gironde njoftoi se të paktën 40 mijë biznese janë prekur drejtpërdrejt, ndërsa mijëra punonjës janë dërguar në skemën e punës me orar të reduktuar.
Edhe në Spanjë, flakët kanë dëmtuar shtëpi, biznese dhe toka bujqësore pranë Madridit, ndërsa fermerët raportojnë humbjen e mijëra hektarëve kullota. Sipas ekonomistëve, rindërtimi mund të ndikojë pozitivisht në statistikat e Prodhimit të Brendshëm Bruto, por kjo nuk përfaqëson zhvillim real ekonomik.






