Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, zhvilloi pasditen e sotme në Ohër një takim kokë më kokë me kryeministrin e Serbisë, Gjuro Macut, në kuadër të vizitës së këtij të fundit në vend.
Pas takimit, Mickoski bëri të ditur se bisedimet u zhvilluan në një atmosferë të hapur dhe konstruktive, ku u diskutua për sfidat aktuale në rajon, thellimin e bashkëpunimit dypalësh, forcimin e marrëdhënieve ekonomike, lidhjen infrastrukturore dhe iniciativat e përbashkëta që synojnë zhvillimin dhe prosperitetin e të dy vendeve.
Ai theksoi se gjatë takimit u riafirmua përkushtimi i përbashkët për avancimin e marrëdhënieve miqësore, të bazuara në respekt të ndërsjellë, fqinjësi të mirë dhe angazhim për një rajon më të qëndrueshëm dhe më të zhvilluar.
Më herët gjatë ditës, kryeministri serb Gjuro Macut u prit në Aeroportin e Ohrit nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.






