Enti Shtetëror për Revizion ka njoftuar se serveri i institucionit ka qenë objekt i një sulmi kibernetik, si pasojë e të cilit nga adresa zyrtare elektronike e drejtorit Maksim Acevski po dërgohen mesazhe mashtruese (phishing).
Sipas njoftimit, mesazhet e dyshimta janë dërguar te marrës në mbarë Maqedoninë e Veriut, por edhe te partnerët dhe bashkëpunëtorët ndërkombëtarë të institucionit. Enti u bën apel qytetarëve dhe institucioneve që të mos i hapin këto mesazhe dhe të mos klikojnë në lidhjet që ato përmbajnë.
Ndërkohë, Sektori për Teknologji të Informacionit është duke punuar për sanimin e problemit, ndërsa rasti tashmë është raportuar edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Nga Enti bëjnë të ditur se, pavarësisht sulmit, faqja zyrtare e institucionit vazhdon të funksionojë normalisht dhe publikimi i raporteve të revizionit po zhvillohet pa ndërprerje.






