Microsoft ka publikuar rezultate financiare që tejkalojnë pritshmëritë e tregut për tremujorin prill-qershor, falë rritjes së fortë të platformës cloud Azure dhe zgjerimit të përdorimit të produkteve të bazuara në Inteligjencën Artificiale.
Kompania raportoi të ardhura prej 90 miliardë dollarësh, 18% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fitimi për aksion arriti në 4.81 dollarë, duke tejkaluar parashikimet e analistëve, të cilët prisnin 4.24 dollarë për aksion dhe rreth 87.6 miliardë dollarë të ardhura.
Të ardhurat nga Microsoft Cloud u rritën në 59.3 miliardë dollarë, ose 27% më shumë në baza vjetore, ndërsa Azure dhe shërbimet e tjera cloud shënuan një rritje prej 43%, të nxitura nga kërkesa në rritje për infrastrukturën cloud dhe zgjidhjet e Inteligjencës Artificiale.
CEO i Microsoft, Satya Nadella, e cilësoi vitin 2026 si një moment historik për kompaninë, duke bërë të ditur se Azure tejkaloi për herë të parë 100 miliardë dollarë të ardhura vjetore, ndërsa Microsoft 365 Copilot arriti mbi 30 milionë përdorues me abonim me pagesë.
Pavarësisht investimeve të mëdha në Inteligjencën Artificiale, Microsoft konfirmoi se nuk do të ndryshojë strategjinë e saj. Kompania synon të vazhdojë investimet në infrastrukturën cloud dhe AI, duke besuar se ato do të sjellin përfitime të konsiderueshme në afatgjatë.
Reagimi i tregut ishte pozitiv, me aksionet e Microsoft që u rritën rreth 9% në tregtimin pas mbylljes së bursës, duke reflektuar besimin e investitorëve në strategjinë e kompanisë dhe potencialin e saj për rritje të mëtejshme.Flaka






