Mickoski: Do të bëjmë gjithçka për reformat, Brukseli le të vendosë nëse e meritojmë anëtarësimin në BE

Advertisement

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Qeveria mbetet e përkushtuar për zbatimin e reformave të parapara në Agjendën Reformuese, duke theksuar se Maqedonia e Veriut është vendi i vetëm në rajon që po punon për përmbushjen e reformave të planifikuara deri në fund të këtij viti.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Mickoski bëri të ditur se mëngjesin e së mërkurës ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Departamentit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, ku është diskutuar për ecurinë e reformave që janë pjesë e Agjendës Reformuese.

Ai tha se në takim u shqyrtuan si reformat që ndodhen në periudhën shtesë të zbatimit pas muajit dhjetor, ashtu edhe ato që po realizohen sipas afateve të rregullta dhe që përfundojnë gjatë vitit 2026.

“Na u tha se jemi i vetmi vend në rajon që po punon për përmbushjen e reformave deri në dhjetor. Ne mbetemi të përkushtuar për realizimin e tyre dhe do të bëjmë gjithçka që varet nga ne”, deklaroi Mickoski.

Kryeministri theksoi se Qeveria nuk do të pranojë, siç u shpreh ai, “kapitullime dhe fleta të bardha”, por do të fokusohet në përmbushjen e reformave dhe detyrimeve të saj.

Sipas tij, pas realizimit të reformave, do t’i takojë institucioneve të Bashkimit Evropian të vlerësojnë nëse vendi e meriton avancimin në procesin eurointegrues.

“Procesi bazohet në meritë. Aq sa realizon, aq edhe përfiton. Ne do të punojmë për ta merituar këtë përmes rezultateve konkrete në zbatimin e reformave, ndërsa vendimin përfundimtar do t’ia lëmë Brukselit dhe Komisionit Evropian”, u shpreh Mickoski.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit